Derbi ka  tym dhe zjarr , s’ka kollare si në ndeshjet e Kombëtares ..!

Derbi është derbi,  gjithnjë ka rebelimin e tij dhe nuk ngjason kurrë me një ndeshje të Kombëtares. Derbi është një lloj rebelimi, nuk ka protokoll dhe njerëz me  “kollare”  si në ndeshjet e Kombëtares. Nuk hapen portat e “bamirësisë”  si në miqësoren me Bullgarinë.  Në derbi lejojet të jesh i “armatosur” me zjarr dhe me tym,madje dridhen edhe stolat , sa nuk janë të pakët ata që përfundojnë copë e çikë në fushë mes tymit të  flakadanëve. Kur luhet derbi, lojën nuk e ndalon vetëm arbitri, por edhe tifozët me pushtetin e tyre që ..mbahet gjallë me gjoba!

Dhe ky Derbi i fundit do të kujtohet edhe si “derbi pa trajner”! Sepse të dyja ekipet kishin larguar mjeshtrat  e stolit , trajnerët Shehi dhe Zekiç . Ishte  tamam si në një duel që bien në ujdi kundeshtarët për të hequr pistoletat  dhe për të bërë duel  me shpata. Dhe fitoi ekipi që trajner kishte drejtorin sportiv, Partizani me Abilaliajn ne stol..

Do të kujtohet kjo ndeshje Derbi sepse të dyja ekipet u “gëzuan” në fund dhe fituesi dhe humbësi. Presidenti Tiranës, Halili deklaroi se largimi i trajnerit kishte qënë “çelësi i suksesit”, kishte qënë i bekuar largimi i trajnerit Shehi, kurse i pyetur për arbitrimin  doli nga vetja kur tha se   “kemi arbitrat më të mirë”…

Sfidanti.al