Shpresat kalojnë 2-0 Malin e Zi

Kombëtarja Shpresa rikthehet te fitorja pas “shuplakës” së marrë në Finlandë 4-1. Ekipi i drejtuar nga Alban Bushi mposhti pasditen e kësaj të marte 2-0 Malin e Zi U21 në stadiumin e Egnatias, e vlefshme për kualifikueset e EURO 2025, ndërsa momentalisht kryeson Grupin E. Skuadra kuqezi diktoi ritmin e këtij takimi, ndërsa zhbllokoi sfidën në minutën e 27’, me kapitenin Medon Berisha që shënoi nga pika e bardhë e penalltisë, penallti e fituar nga Stiven Shpendi. Në minutën e 39’ Shqipëria mori një “avantazh” të dytë pasi kapiteni i Malit të Zi, Bajovic, mori kartonin e dytë të verdhë pas një ndërhyrjeje të gabuar ndaj Medon Berishës dhe e ka ekipin e tij me dhjetë lojtarë.

“Kuqezinjtë” vazhduan me sulmet edhe në fraksionin e dytë dhe në minutën e 73’ pas një super asisti nga Rexhepi, Stiven Shpendi dyfishoi avantazhin e ekipit të tij dhe vulosi këtë takim. Pas kësaj përballjeje Shqipëria numëron tre fitore dhe një humbje në katër ndeshje në kualifikueset e Euro 2025, ndërsa kryeson momentalisht Grupin E me nëntë pikë, teksa Mali i Zi renditet në vend të pestë me tre pikë.

sfidanti.al