Shqipëria “rezervë” kalon edhe Bullgarinë

Ishte një ndeshje miqësore ajo ndaj Bullgarisë por edhe linjat e dyta të trajneri Sylvinho bindën në testin kundër Bullgarisë duke fituar 2-0 me nga një gol në çdo pjesë, fillimisht Laçi e më pas Muçi. Me 6 ndryshime krahasuar me formacionin e Çekisë, Shqipëria tregoi se nuk ndryshon shumë edhe në miqësore e madje me një pjesë të madhe të lojtarëve që mund të konsiderohen si zëvendësues.

Në sulm, Uzuni dhe Muçi treguan se trajneri mund t’u besojë edhe në ndeshje të rëndësishme ndërsa Qazim Laçi shënoi fillimisht një gol të thjeshtë të lindur nga këmbët e Mitajt, sërish një nga më të mirët në fushën e lojës. 90 minuta pozitive të finalizuara me rezultatin 2-0 që e projektojnë skuadrën kuqezi edhe më të fortë drejt ndeshjeve të nëntorit, fillimisht në Moldavi e më pas në Tiranë me Ishujt Faroe, për ta mbyllur fazën eleminatore në vendin e parë edhe pse diferenca për momentin me Çekinë është 2 pikë. Takimi nisi me stadiumin të mbushur pothuajse përgjysmë por çuditërisht me kalimin e minutave skuadra mori një mbështetje edhe më të madhe dhe ky është një fenomen që në ndeshje të tilla regjistrohet për herë të parë por që gjithsesi, në fund të gjithë largohen me një fitore tjetër të Kombëtares.

sfidanti.al