Nagelsmann nuk e ndryshon shiritin 

Në orët e para (02:00) pas mesnatës të sotme Gjermania luan miqësoren e dytë dhe të fundit të turneut amerikan. Të besuarit e Julian Nagelsman sfidojnë në “Lincoln Financial Field” të Filadelfias ekipin e Meksikës në takim miqësorë, i cili do të jetë i dyti për trajnerin si komisar teknik i katër herë kampionëve të botës. Shumë lojtarë të Gjermanisë kanë përfituar nga ky rast për të ngjitur 72 shkallët e famshme të cilat të dërgojnë në Muzeun e Arteve të qytetit në fjalë, segment ky i bërë i famshëm në të gjithë botën në filmin Roki Balboa.

Julian Nagelsman ka preferuar që të kalojë kohë diku tjetër edhe pse në konferencën për shtyp theksoi se “metodologjia e Roki Balboas ishte një model për tu ndjekur”. Mes të tjerash 36-vjeçari u përgjigj disa pyetjeve të gazetarëve duke mos u tërhequr edhe në një argument mjaft delikat siç është ai në lidhje me portierin titullar dhe shiritin e kapitenit të ekipit. “Mendoj se nuk ka shumë për të diskutuar. Ilkai Gyndogan do të jetë kapiteni i Gjermanisë deri në ‘Euro 2024’. Ne kemi nevojë për vazhdimësi dhe mendoj se Ilkai do të jetë kapiteni ynë edhe nëse Nojer rikthehet nga dëmtimi”, tha Nagelsman. Me këtë përgjigje trajneri duket se nuk i ka dhënë shpresë portierit të Bajernit se pas rikthimit në fushë do të ketë shansin që të jetë titullar direkt edhe me “die Mannschaft”.

I pyetur nëse do të bënte shumë rotacion mëngjesin e të mërkurës, Nagelsman tha: “Nuk mund të bëj shumë rotacion pasi ende kemi nevojë që të kolaudojmë disa skema dhe mekanizma. Kemi shumë pak kohë që jemi bashkë dhe do të shfytëzojmë ç’do moment për të njohur njëri-tjetrin”.

sfidanti.al