Trajneri Sylvinho foli në konferencën për shtyp në prag të miqësores me Bullgarinë, ku sqaroi zërat për një përplasje me Brojën, por paralajmëroi edhe të paktën 4 ndryshime nga 11-shja e titullarëve.
Më në fund një miqësore, pas 10 muajsh në drejtimi ne Kombëtares. A do të ketë ndryshime të shumta në formacion nesër, për të luajtur ata që kanë marrë më pak minuta apo do të provoni ndonjë plan B me titullarët që keni?
Fjala miqësore për mua nuk ekziston. Miqësoret janë vetëm ato 11 kundër 11 që luajmë me njëri-tjetrin në stërvitje. Mund të ketë 3 apo 4, ose maksimumi 5 ndryshime. Do të respektojmë edhe klubet, për lojtarët që luajnë çdo tre ditë, por sigurisht që nuk do të bëjmë shumë ndryshime, pasi është një mundësi për të provuar variacione dhe për të vijuar procesin e rritjes. Kemi dërguar një njeri që të vëzhgojë Bullgarinë, pasi e respektojmë maksimalisht këtë përballje dhe duam të bëjmë sa më mirë.
Çfarë ndryshon te lojtarët heqja e konceptit miqësore apo zyrtare?
Edhe vetë lojtarët e kuptojnë rëndësinë e këtij takimi, që e sheh gjithë bota. Të gjithë kanë mundësinë të tregojnë cilësitë e tyre. Nuk do të bëj emra, por të paktën 4 futbollistë do të ndryshojnë nesër.
Është përfolur në media për një përplasje tuajën me Armando Brojën. A keni një koment mbi çfarë ka ndodhur?
Nuk ka ndodhur asgjë. Ai vjen nga një dëmtim rreth 10-mujor, një kohë shumë e gjatë. Ka luajtur pak kohët e fundit me Chelsea-n dhe në ndeshjen e fundit atje ka luajtur vetëm pjesën e parë. Kishte një problem dhe erdhi këtu. Pasi provuam, në bashkëpunim me mjekët e Chelsea-t, vendosëm që ai nuk është në gjendje për të luajtur, ndaj u kthye atje për t’u ndjekur nga stafi i klubit anglez. Duhet shumë kujdes pas një dëmtimi si ky, ndaj është më mirë që ta ndjekin mjekët e Chelsea-t. Kjo është 100% e saktë mbi atë që ka ndodhur.
A mund të synojë Shqipëria diçka më shumë në Europian?
Objektivin nuk e kemi arritur akoma. E kam thënë që kemi bërë një rrugëtim shumë pozitiv deri këtu, por gara është ende e hapur dhe në nëntor, kur ta sigurojmë plotësisht biletën për në Europian, do të nisim të mendojmë sa larg mund të shkojmë. Deri në nëntor, nuk mund të mendojmë për Gjermaninë, pasi nuk jemi ende atje.
Ju vjen keq që ndeshjen e parë në mars e luajtët me Poloninë?
Sigurisht nuk e njihja mirë ekipin dhe kemi punuar shumë me stafin për të ndjekur lojtarët. Ishte një kundërshtar i fortë dhe një mundësi e mirë, pasi pashë shumë gjëra mbi të cilat duhej të përqendroheshim. Falë atij takimi të fortë, pata mundësi të njoh më mirë lojtarët dhe të përgatis më mirë ndeshjet e qershorit.
Sa e vlerësoni Bullgarinë? A mund të na jepni recetën e suksesit, pasi nuk po arrijmë ta gjejmë?
Unë kam ndjekur diçka nga Bullgaria, në ndeshjet e grupeve. Dy pikë dhe nuk është e drejtë, por unë mendoj se është një skuadër shumë e rëndësishme. Mbrohen mirë me një bllok me 5 lojtarë, me futbollistë të gjatë dhe të fortë fizikisht. Në futboll nuk ka një sekret, por duhet që të gjithë të mendojnë njësoj, për të njëjtin drejtim apo objektiv. Ne jemi në rrugën tonë, të kënaqur me atë që kemi arritur, por e dimë që kemi ende shumë për të bërë.
A jeni gati të firmosni një kontratë të re, për të na udhëhequr edhe në eliminatoret e Botërorit të ardhshëm?
Ne mendojmë të gjithë njësoj. Nuk e kemi mbaruar rrugëtimin tonë dhe flasim çdo ditë për t’u përgatitur për dy ndeshjet e nëntorit. Jemi me mendjen në nëntor, unë me stafin tim, por edhe Federata. Djemtë po bëjnë shumë mirë, me nëj shpirt skuadre të bukur dhe të fortë. Lojtarët luajnë me shpirt e zemër, dhe djersijnë shumë në fushë.