Kombëtarja U-17 fitoi edhe ndeshjen e dytë miqësore ndaj Kosovës me rezultatin final 3-1. Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Ardi Behari siguruan fitoren e dytë radhazi në harkun kohor të dy ditëve. Të tre golat për ekipin kuqezi u shënuan nga Xheto Joi Nuredini dhe Matias Gici, i cili realizoi dopietë.
Trajneri Behari e nisi ndeshjen me këtë formacion: Etem Xhemali (GK), Davide Avdullari, Kris Gecaj, Renato Halili, Samuele Sina, Eraldo Karaj, Kleo Shpuza, Mateo Dashi, Matias Gici, Xheto Joi Nuredini, Tedi Malaj (c). Kuqezinjtë spikatën me lojën e mirë që në pjesën e parë të takimit, ku realizuan edhe tre golat e fitores. Fillimisht ishte Nuredini ai që zhbllokoi rezultatin e takimit që në minutën e 5-të, ndërsa Matias Gici qetësoi skuadrën me dygolëshin e tij në minutat 20-të dhe 37-të. Pjesa e parë u mbyll me avantazhin 3-0 për kuqezinjtë ndërsa në fraksionin e dytë, Maksutaj ngushtoi shifrat për Kosovën në minutën e 76-të.