Sarri nuk ngurron t’i tregojë Juventusit, “Lojën e Ndershme” të harruar!

Në një moment të gjysmëfinales së dytë të Kupës së Italisë, Napoli nuk i riktheu Juventusit topin pas një rivënieje anësore që vetë torinezët ia dhuruan. Ishte çasti kur portieri juventin Neto nxorri topin jashtë vijës për të lejuar ndihmën mjekësore për Kuadradon. Trajneri napolinat, Mauricio Sarri, u pyet për këtë gjë, padyshim. “Nuk shoh arsye, – tha ai, – përse duhet t’i kthejmë topin një skuadre që vononte lojën prej 25 minutash, aksion pas aksioni”. “Nëse duam të jemi sportivë, duhet të jemi të dyja palët, – vazhdoi ai, – ndryshe, secili bën lojën e vet”.

Në mënyrë kategorike Sarri u shpreh para gazetarit të “Rai Sportit” se “nuk pranoj kritika për sportivitetin e skuadrës, sepse në kampionat ne kemi bërë 180 faulla më pak sesa Juventusi dhe kemi marrë 20 kartona të verdhë më pak, pra jemi më sportivë se të gjithë” Përveç kësaj, skuadra e Sarrit dhe e Elseid Hysajt është ajo që jep futbollin më të bukur në Itali, ndoshta bashkë me Romën e Spaletit.

Sfidanti.al