Zoran Zekic është vetëm i fundit në radhën e trajnerëve të larguar nga stoli i skuadrave të Superiores, ca me dëshirë e shumë të tjerë pa dëshirë por që të gjithë kanë provuar të njëjtin fat, sot nuk janë më trajnerë të ekipeve në të cilat nisën punën me ambicje të mëdha. Në 8 javë, 6 trajnerë kanë ndryshuar, pothuajse mesatarisht 1 për çdo ndalesë të Superiores, ndërsa 50 % e skuadrave sot kanë timonierë të rinj. Me largimin e Orges Shehit i cili ishte edhe rekordmeni i klubit bardheblu me më shumë se 1000 ditë dhe aq më tepër në një klub ku ligjin e bën presidenti Refik Halili (i cili dallohet për luhatjet e humorit në lidhje me trajnerët), ra edhe miti i ngritur kohët e fundit sipas të cilit, Superiorja e kishte fituar njëfarë stabiliteti në këtë drejtim. Mungesa e rezultateve, e pagave dhe e seriozitetit janë të gjithë bashkë përbërës në çorbën e madhe që vazhdon të gatuhet.
Klopp mesa duket e ka pasur gabim kur deklaroi se një trajneri i duhen minimalisht dy vjet për të ndërtuar skuadrën e tij e ndoshta në Shqipëri kanë gjetur përkthyesit e gabuar të cilët ndoshta kanë ngatërruar fjalën “vit” me “muaj”. Në 19 tetor kur derbi i kryeqytetit presupozohet që të konsakrojë mbylljen ideale të fazës së parë, do të shikojmë në stol dy emra që kanë kotribuar pak ose aspak në Tiranën dhe Partizanin aktual e kjo sigurisht jo për faj të tyre, aq më pak në rastin e kampionëve ku Zekic zgjodhi me dëshirë një rrugë tjetër. Gjithsesi, ky fakt nuk e zhvlerëson aspak përfundimin se sindroma e sëmundjes së vjetër të ndryshimit të trajnerëve është më e fortë dhe e pranishme se kurrë sot mes nesh.
sfidanti.al