E nisi Barcelona dhe e përfundoi Reali. Edhe kjo javë e kampionatit spanjoll shkoi si shumë të tjera, me ndeshje që u kthyen në goleada, pasqyrë e pamëshirshme e diferencave fatale në futbollin e vendit që më shumë po respektohet këto kohë. Trajneri Luis Enrike pati lojtarët më të mirë në fushë ndaj Seviljes, një kundërshtari të rrezikshëm, por të cilit katalanasit ia gjetën “anën”. Luis Suarez shënoi golin e parë, ndërsa Mesi fillimisht goditi shtyllën, pastaj dy herë e rregulloi shënjestrën duke e dërguar topin në rrjetë. E gjitha kjo në pjesën e parë, dhe pas pushimit kampionët e Spanjës nuk kishin pse të lodheshin më.
Me 69 pikë ende mbeten në garë për të mbrojtur titullin, edhe pse Reali e mbajti diferencën +2 me suksesin gjithashtu si “duke u tallur” në fushën e Leganjesit. Trajneri Zidan la pushim Ronaldon, Benzemanë, Bejlin, Krosin, hodhi në fushë Modriçin vetëm në minutën e 81-të dhe Iskon pak më herët, ndërsa Varan ishte i dëmtuar. Shënuan Hames Rodrigez, dy herë Morata dhe një herë Mantovani (autogol), ndërsa për vendasit shkurtuan nga 0-3 në 2-3 Gabriel dhe Lusiano.
Reali ka 71 pikë dhe një ndeshje më shumë për të luajtur, ndonëse Barça shpreson në dy pengesa, atë në fushën e Seltës dhe atë në “Bernabeu” me Atletikon. Katalanasit kanë golaverazh më të mirë (88-26 ndaj 78-30), si dhe dy shënuesit më të mirë të kampionatit, Mesin me 27 gola e Suarezin me 23, ndërsa Ronaldo ka 19.
Sfidanti.al