Një ditë pasi konfirmoi pjesëmarrjen në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, Ballkani ka mësuar grupin dhe kundërshtarët. Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja do të luajë në Grupin C. Shorti nuk ishte i lehtë për kampionin e Kosovës, pasi pjesë e këtij grupi janë disa skuadra që kanë emër jo vetëm në shtetin e tyre por edhe në futbollin evropian.
Gjiganti i Kroacisë, Dinamo Zagrebi, Viktoria Plzen e Çekisë dhe Astana e Kazakistanit, do të përballen me Ballkanin në fazën e grupevec që nis më 21 shtator dhe përfundon më 14 dhjetor të këtij viti. Në short u përfshinë 32 skuadra, të cilat u ndanë në tetë grupe me nga katër ekipe. Skuadra nga Suhareka garat evropiane këtë edicion i ka nisur në Ligën e Kampionëve ku u eliminua në raundin e parë kualifikues nga Ludogoretsi i Bullgarisë.