Kristiano Ronaldo po ndjek gjurmët e Lionel Mesit, duke vendosur që të marrë pjesë në bërjen e formacionit në sezonin e ardhshëm. Futbollisti portugez i ka rekomanduar trajnerit të vet, Zinedin Zidane, lojtarin, me të cilin ai do të dëshironte që të luante në sulm. Fjala është për sulmuesin aktual të Mançester Junajtidit, Markus Rashford, që do të përbente një zëvendësues ideal për Karim Benzeman, e ardhmja e të cilit në Madrid nuk dihet, ndërkohë që edhe për sulmuesin tjetër të Realit, Morata, thuhet se ka mundësi që të largohet për në Angli. Rashfordi, para dy vitesh, u bë një sensacion botëror i vërtetë, pasi në dy ndeshjet e para, në karrierën e tij profesioniste, ai shënoi katër gola.
Më pas, ai u bë një hero i Junajtidit në ndeshjet kundër Sitit dhe Totenhemit, ndërkohë që në ndeshjen e tij debutuese me përfaqësuesen angleze shënoi gol mbas 135 sekondave lojë. Ky sulmues i ri, para disa kohësh, zbuloi se idhull i tij është Kristiano Ronaldo. Është e vështirë të spekulohet lidhur me shumën, me të cilën ky futbollist 18-vjeçar do të mund të kalojë te Reali, por, nëse kihet parasysh se Junajtidi është i interesuar për dia futbollistë të këtij ekipi spanjoll, atëherë, mund të ndodhë që puna të shkojë deri te ndonjë shkëmbim lojtarësh.
sfidanti.al