Ishin përballë dy ekipet me më shumë halle në Shqipëri. Të paktën përsa i përket elitës. Flamurtari, megjithë telashet pa numër, nuk la pa e shfrytëzuar një nga rastet fare të rralla kur mund të fitojë thellë dhe të ngrejë moralin. Të parafundit në renditje mundën 6-0 ata që mbajnë vendin e fundit, si për të treguar sesa anomali ka ky Flamurtar.
Që kur Donjet Shkodra shënoi me penallti golin e parë, e deri në minutën e 70-të, ritmi në Vlorë nuk u ul dhe u shënuan gjashtë rrjeta. Bruno Telushi shënoi për së dyti në pjesën e parë, ndërsa pas pushimit pati më shumë spektakël. Tomisllav Bushiç, Haxhi Neziraj, sërish Tomisllav Bushiç dhe Rigers Dushku, ishin autorët në 45 minutat e dyta. Vlonjatët e trajnerit Shpëtim Duro tani kanë po aq pikë sa Laçi, 25, por me golaverazh më të mirë ndodhen në vendin e tretë nga fundi.
Sfidanti.al