Tashmë gjithçka është zyrtare, “fantazisti” nigerian, Samuel Çukueze është forca më e re në sulmin e “kuqezinjve” të Milan, teksa pas arritjes së marrëveshjes me “nëndetëset e verdha” të Vijareal, 24-vjeçari ka nënshkruar ditën e sotme kontratën me klubin e tij të ri.
“Fantazisti” i repartit ofensiv ka nënshkruar një kontratë 5-vjeçare, me “djajtë” e Milanos, teksa do të mbajë në shpinë fanellën me numrin 21. Përsa i përket negociatave me klubeve, Milan derdhi në arkat e spanjollëve, plot 28 milionë euro, të ndarë në “paketën” 20 milionë euro bazë plus 8 milionë të tjera bonus. Ndërkaq, kujtojmë se Çukueze është larguar nga Vijareal, pas 207 ndeshjesh me fanellën e “nëndetëseve të verdha”, teksa ka arritur të shënojë 37 gola, si dhe të dhurojë 31 asistime për shokët e tij të skuadrës. Nigeriani ka arritur gjithashtu të fitojë dhe 1 trofe me spanjollët, atë të Europa Ligës, në finalen e sezonit 2020-2021, ndaj Mançester Junajtid.
sfidanti.al