Për të rënë nga kategoria vështirë se rrezikon, por për turpërimin, tashmë ia ka arritur. Tirana ka harruar jo vetëm të fitojë, por edhe të luajë me dinjitet, dhe kjo u duk edhe në përballjen ndaj Vllaznisë në kryeqytet. Shkodranët e trajnerit Armando Cungu, me më shumë shpirt gare dhe më shumë lojë skuadre, ia dolën të imponoheshin 2-1 duke u ngjitur fare pranë Luftëtarit të vendit të katërt.
Përballja ishte për javën e 27-të të Superligës dhe u vendos nga golat e Olsi Gocajt me penallti në minutën e 53-të e të Sajdi Gurit në të 82-ën për Vllazninë, si dhe nga ai i Cisesë në minutën e 79-të për barazimin e përkohshëm të Tiranës. Shkodranët kanë tani 35 pikë, 1 më pa se Luftëtari që ende nuk e ka luajtur ndeshjen e tij, ndërsa bardheblutë e trajnerit Mirel Josa janë në vendin e gjashtë me 29 pikë, 4 më shumë sesa Laçi i vendit të tretë nga fundit.
Gjithsesi, me Flamurtarin që ka vetëm 22 pikë dhe që rrezikon t’i hiqen të tjera nga FSHF, Tirana duhet të jetë e qetë përsa i përket mbijetesës. Fatkeqësia është që një skuadër e ndërtuar për të pretenduar kampionatin dhe me rroga të larta, është e pazonja për të qenë edhe sa një ekip mesatar dhe tifozët tiranas, të mësuar me trofe, janë ata që po vuajnë më shumë se të tjerët në Superligë.
Sfidanti.al