Myrto Uzuni trefishon vlerën e kartonit brenda një viti!

Nuk hyn tek superyjet, por rritja e tij është vërtet meteorike. Myrto Uzuni mund të jetë njëri nga futbollistët me përparimin më të madh në botë të vlerës së kartonit në 12 muajt e fundit. Sulmuesi i kombëtares shqiptare aktualisht ka vlerën si profesionist prej 9 milionë eurosh, ndërsa vazhdon të jetë pjesë e Granadës në Spanjë, tashmë në La Ligë. Vetëm një vit më parë, në qershor 2022, vlera e kartonit të beratasit ishte vetëm tre milionë euro, ndërsa fillimin në Iberi e pati të vështirë dhe ra nga kategoria. Gjithsesi, Uzuni shpërtheu në Ligën e Dytë, duke shënuar 23 gola, duke fituar Këpucën e Artë e duke qenë më i miri për Granadën që u ringjit në elitën e futbollit spanjoll.

Pikërisht për këtë paraqitje, faqja e specializuar gjermane “transfermark” ia trefishoi vlerën e kartonit, ndërsa pritet me shumë interes të shihet sesi do të jetë loja e 28-vjeçarit në La Ligë, përballë gjigandëve si Barcelona, Reali, Atletiko apo Sevilja, sa për të përmendur disa emra. Kjo e Uzunit është thuajse një përjashtim për lojtarët e kombëtares shqiptare sepse mjaft prej tyre kanë pasur dëmtime apo lënie në stol dhe vlera e tyre e kartonit është ulur apo ka qendruar në vend.

Sfidanti.al