Prag Spanjë-Itali, kush e ndjek Kroacinë në finalen e Ligës së Kombeve?!

Një duel gjithnjë e më klasik. Nuk ka në Europë duel latin më të ndjerë sesa ai mes Spanjës dhe Italisë dhe dy gjigandët e kontinentit vihen sonte sërish përballë njëri-tjetrit. Në orën 20:45, në stadiumin “De Grolsh Veste” në Enshede të Holandës, do të luhet gjysmëfinalja e dytë e Ligës së Kombeve, pas të parës që e fitoi Kroacia. Dy ekipet janë përballur shpesh, në Kupa të Botës, në Kampionate Europiane, e së fundmi edhe në Ligën e Kombeve. Në 11 vitet e fundit dy kombëtaret kanë nga një kualifikim, por Spanja kryeson në bilancin total me 13 fitore ndaj 10 të Italisë. Të Kaltrit nuk kanë lojtarë si Berardin e Pesinën të dëmtuar, ndërsa Bastoni mungon për shkak sëmundjeje.

Tonali ndërkaq është kaluar tek Italia U21, ndërsa në sulm do të ketë konkurrencë mes Retegit dhe Imobiles, që e ka kaluar dëmtimin. Trajneri Roberto Mançini dhe skuadra e tij u nisën drejt Holandës të ndërgjegjshëm sesa e vështirë pritet sfida. Spanja, ndërkaq ka ndryshuar edhe më shumë se Italia, që vetëm 2 vjet më parë doli kampione e Europës. Në ekip nuk janë Buskets, Pedri apo Ferran Torres, ndërsa Dani Olmo është në dyshim. Kapiten i ekipit do të jetë Zhordi Alba, që mungoi në mars, dhe që ka qenë në hije tek Barcelona. Në stol është pasardhësi i Luis Enerikes, De La Fuente.

Sfidanti.al