Prag Inter-Fiorentina, kush e fiton trofeun e Kupës së Italisë në Romë?!

Mund të përfundojë në mënyrë triumfale, por ende nuk dihet. Interi është në metrat e fundit të një sezoni ku synon të fitojë dy trofe, Championsin dhe Kupën e Italisë, ndërsa sonte do të luftojë për njërin prej tyre. Në orën 21:00 në stadiumin “Olimpiko” të Romës, zikaltërit do të presin Fiorentinën në finalen e kupës italiane. Skuadra milaneze është kampione në fuqi e këtij konkurrimi, ka eliminuar rivalë të fortë si Juventusin e padyshim cilësohet favorit, ndryshe nga çfarë pritet në finalen e Championsit. Trajneri Simone Inzagi nuk i jep rëndësi këtij fakti.

“Është një finale, – thotë ai, – Unë kam provuar shumë të tilla, disa herë kemi qenë favoritë, disa herë jo, por mjafton të themi se është një finale. Fiorentina ka humbur vetëm 4 herë në 24 ndeshjet e fundit, duke fituar thuajse gjithmonë. E dimë se çfarë skuadre do të kemi përballë. Jemi ndeshur shpesh me të. Këtë vit kemi fituar dhe kemi humbur. Një skuadër mjaft e mirë që i ka merituar dy finalet që ka arritur, ashtu si edhe Interi. Do të jetë një finale e hapur”.

Interi është përgatitur më i qetë në prag të finales, pavarësisht humbjes në Napoli për Serinë A, që e ndërlikon disi pozitat në zonën Champions. Pavarësisht ndonjë mungese si Shkriniar apo Mkitarian, zikaltërit janë të fortë ndërsa Kristjan Asllani do të ulet në stol për t’i bërë vend Brozoviçit. Fiorentina, ndërkaq, është gjithashtu në një sezon të madh. Skuadra nga Firence lejoi tifozët në seancën e fundit stërvitore para finales, ndërsa ka arritur dy finale të rëndësishme, pasi lufton edhe për Ligën e Konferencës.

Sfidanti.al