Duket se e hodhi hapin vendimtar. Denver Nagets arriti një fitore tepër të rëndësishme në fushën e Lejkërsave në Los Anxhelos, duke qenë tani në komandë në finalen e plej ofit në Konferencën Perëndimore. Suksesi ishte 119-108, dhe skuadra nga Kolorado ka tani tri fitore ndaj Lejkërsave pa asnjë humbje, ndërsa historia thotë se askush në plej ofin e NBA-së nuk e ka përmbysur një diferencë 0-3. Xhamal Marrej dhe Nikola Jokiç ishin më të mirët për miqtë, duke tejkaluar provën e yjeve vendas, Lebron Xhejms dhe Entoni Dejvis. Marrej pati 37 pikë, duke qenë shënuesi më i mirë, dhe shtoi 7 topa në tabela, 6 asistë e 2 vjedhje topi.
Jokiç nuk ishte në nivelin e jashtëzakonshëm të ndeshjeve të kaluara, dhe vuajti për shkak të gabimeve personale, por sërish realizoi 24 pikë, kapi 6 topa në tabela e shërbeu 8 asistë. Në krah të tyre ishin edhe Kalduell-Poup, Braun dhe Porter. Lejkërsat e nisën shumë keq ndeshjen, por pastaj reaguan me Lebronin që shënoi 23 pikë e shërbeu 12 asistë, si dhe Entoni Dejvisin me 28 pikë e 18 topa në tabela. Gjithsesi, në fund vendosën Marrej e Jokiç, ndërsa Denveri është vetëm një fitore larg kualifikimit për herë të parë për në finalen e madhe të NBA-së. Ndeshja e katërt luhet sërish në Kaliforni.
Sfidanti.al