Kishte të drejtë Xhani De Biazi. Kombëtarja shqiptare nuk duhej të priste shpëtim nga mrekullia, por nga forcat e veta, veçse ato nuk i mjaftuan ndaj Italisë. Katër herë kampionët e botës fituan thjesht 2-0 në Palermo dhe nuk u shkëputën nga Spanja, në krye të grupit eleminator të Botërorit.
Daniele De Rosi me penallti, dhe Çiro Imobile ishin autorët e golave, që erdhën në minutat 12 e 71, ndërsa Shqipëria u përpoq, nuk mundi të ngjitej në nivelin e katër herë kampionëve të botës.
Pjesa e parë ishte më e mirë për shqiptarët që luajtën ballë për ballë me të kaltrit. Odise Roshi ishte lojtari më i mirë në fushë në 45 minutat e para, duke krijuar rast të pastër që në fillim për Sokol Cikalleshin, dhe duke shpërdoruar një mundësi të mirë në fund.
Italianët po ashtu rrezikoi në disa momente, sidomos me anë të sulmuesit kryesor, Beloti, gjuajtjen e të cilit e grushtoi portieri Strakosha, që bëri një figurë shumë të mirë.
Pas pushimit, formacioni i De Biazit mendoi se mund ta arrinte barazimin, veçse Italia ishte tepër eksperte. Për më tepër, ndeshja u ndërpre në 57’, për shkak të hedhjes së tymuese në fushë, besohet nga tifozë shqiptarë. Pas 8 minutash, ndeshje rifilloi dhe italianët shënuan golin e dytë në 71’, me anë të Imobiles. Në këtë rast, pozicioni i Belotit ishte i dyshimtë për jashtë loje.
Shqipëria mbeti në vendin e katërt në grup, me 6 pikë pas 5 ndeshjeve, ndërsa Maqedonia ka 3 pikë po në 5 takime. Spanja dhe Italia kryesojnë me nga 13 pikë, ndërsa Izraeli na lë pas duke u ngjitur në kuotën e 9 pikëve.
Sfidanti.al