Superliga, Tirana triumfon në Shkodër, Abazaj e çon drejt titullit!

Sfida të tilla fitohen me përvojë dhe mentalitet. Kështu bëri Tirana që ia doli në një nga ndeshjet më të vështira të sezonit, ndoshta në më të vështirën nga të gjitha, atë në fushën e Vllaznisë. Në “Loro Boriçi”, pavarësisht se vendasit u përpoqën më shumë, kampionët në fuqi të Abisnet Superligës ditën të bënin gjënë kryesore, të shënonin golin. Kristal Abazaj, futbollisti i momentit, ishte autori i rrjetës në fund të pjesës së parë, dhe rezultati 1-0 nuk ndryshoi deri në fund. Në të vërtetë, shkodranët kërkuan penallti në pjesën e parë kur Çoba u rrëzua në zonë pas ndërhyrjes së Përgjonit, por arbitri Cjapi nuk sinjalizoi 11-metërsh.

Kryeqytetasit ishin më të rrezikshëm në kundërsulm, ndërsa nën drejtimin e trajnerit Orges Shehi kanë krijuar një lojë pragmatike, duke dhënë pak spektakël, por duke marrë pikët. Edhe pas pushimit, ndonëse Vllaznia këmbënguli më shumë, sërish tiranasit e përballuan presionin dhe nuk lejuan shumë rreziqe në portën e Bekajt. Me një pjekuri të tillë, duket se Tirana do të arrijë ta ruajë titullin e fituar vjet. Kryeqytetasit kryesojnë me 56 pikë ndaj 48 të Partizanit, që do të luajë këtë të diel ndeshjen ndaj Bylisit.

Sfidanti.al