Ajo që ndodhi në sfidën e parë nuk lë shumë vend për diskutim. Jo vetëm që Reali fitoi 2-0 ndaj Çelsit në “Santiago Bernabeu”, por edhe dominoi aq shumë sa që ky rezultat u duk i ngushtë. Kampionët në fuqi të Championsit kanë shkuar në Londër për të luajtur çerekfinalen e dytë dhe padyshim që cilësohen favoritë. Forma e “merengesve” është e shkëlqyer, pavarësisht se në La Ligë duken të dorëzuar përpara Barcelonës. Gjithsesi, trajneri Ançeloti ka pak mungesa, ndërsa kthehen Vinisius apo Kros. Italiani pyetet sesi i duket që pronari i Çelsit, Tod Boehli, foli me skuadrën para sfidës.
“Mund të jetë motivuese kur pronari i klubit u flet lojtarëve, – pohon ai, – Çelsi nuk është në një moment të mirë dhe kur lojtarët e dinë se kanë mbështetjen e klubit, mund të jetë e mirë për ta. Mund t’i ndihmojë që të luajnë më mirë. Kjo është një mënyrë e mirë. Kur drejtuesit e klubit duan t’u flasin lojtarëve, unë nuk kam asnjë problem, absolutisht”.
Çelsi është në pozita shumë më të këqija. Blutë e Londrës janë në krizë të thellë në Premier Ligë, me dy humbje radhazi me trajnerin e ri, Frenk Lampard. Mungesat ekzistojnë si Çiluell i pezulluar apo Kulibali e Broja, ndërsa Haverc apo Loftus-Çik besohet se mund të jenë gati. “Ne nuk jemi aty ku duhet, aty ku duhet të jetë ky klub. Pozicioni ynë në Premier Ligë është ai që është, është një realitet. Ne duhet të luftojmë kundër këtij realiteti. E dimë sesa e vështirë do të jetë ndaj Realit. E dimë se nuk është e lehtë të realizohet mrekullia, por do të përpiqemi. Nëse do t’ia dalim do të jetë e veçantë”. Ndeshja Çelsi-Real luhet sonte në orën 21:00 në stadiumin “Stemford Brixh” të Londrës.
Sfidanti.al