Real Madrid-Çelsi, dueli i tretë në Champions në tre vjet, spanjollët favoritë!

Historinë nuk e kanë të njëjtë, por njëri-tjetrin e njohin mirë. Reali dhe Çelsi janë përplasur dy herë në sezonet e kaluara, dhe nga një sukses për secilën skuadër, ndërsa tani vjen e treta. E kotë ta themi se madrilenët janë favoritë si kampionë në fuqi të Europës, dhe si fitues 14 herë të trofeut të madh. Jo vetëm kaq, por momenti është plotësisht në favor të ekipit të trajnerit Karlo Ançeloti pavarësisht humbjes në La Ligë me Vijarrealin. Për më tepër, të gjithë yjet janë të gatshëm dhe në dyshim është vetëm Ferlan Mendi. Ançeloti pati një reagim krenar kur u pyet për vlerat e skuadrës së tij.

“Ky ekip është në formë të mirë sepse punon shumë. Nëse do të kemi fatin të fitojmë Kupën e Mbretit, kjo do të thotë se ky ekip ka fituar çdo lloj trofeu të mundshëm në dy vitet e fundit. Ka ekipe që nuk i fitojnë këto trofe gjatë gjithë jetës së tyre. Ju them këtë dhe ju përshëndes”.

Po Çelsi? Ajo që ndodhi vjet me Realin ishte diçka që sot nuk mund të imagjinohet, sepse Blutë e Londrës patën një reagim madhështor në “Bernabeu”, por këtë herë kjo nuk pritet të ndodhë. Nën drejtimin e trajnerit Frenk Lampard, anglezët janë përgatitur fort për ndeshjen, por forma ka qenë e dobët, siç e tregojnë rezultatet në Premier Ligë ku nuk ka shpresë për kualifikim në Champions. Problemet shtohen me mungesat, ndonëse Tiago Silva, Kante dhe Çiluell janë kthyer.

“Përsa i përket karakterit, mendoj se kjo është shumë e rëndësishme në një sezon ku ekipi ka qenë poshtë nivele që kërkohen. Ne mund të nxjerrim mësime nga humbja, më shumë sesa nga fitorja. E vetmja gjë që mund të bëjnë lojtarët është të provojnë veten, të reagojnë në fushë. Çerekfinalja është një mundësi. Duhet të kemi besim dhe të përballojmë presionin”. Sfida në “Bernabeu” luhet në orën 21:00, ndërsa ajo e kthimit mesjavën e ardhshme.

Sfidanti.al