Champions, Interi “rilind nga dheu” dhe “prek” gjysmëfinalen pas 13 viteve

Në Lisbonë i takoi të vuante për shumë minuta, me Benfikën që sulmoi furishëm shtyrë nga oshëtima e dhjetëra mijë tifozëve në “Estadio da Luz”. Nuk ishte e lehtë për Interin që të kalonte një provë të tillë të Championsit në Lisbonë, por gjithsesi këtë herë mentaliteti ishte ndryshe. Nuk është e qartë se çfarë ndikoi për një transformim të tillë nga Seria A ku ka 4 humbje në 6 ndeshjet e fundit (1 fitore), në suksesin 2-0 në Ligën e Kampionëve. Barela dhe Lukaku me penallti ishin autorët e golave, për ekipin e Simone Inzagit që ndoshta u nxit nga fakti se ndeshja do të përcaktonte sezonin.

Një eliminim në Champions do të thoshte dështim i plotë, ndërsa tani kanë lindur ëndrrat për fitoren e trofeut. Interi është pranë gjysmëfinales, që do të ishte e para që nga viti 2010, kur fitoi titullin me Murinjon në stol. Vërtet që Benfika bëri më shumë me topin, e mbajti 57 për qind dhe pati 619 pasime ndaj 444 të zikaltërve, por gjithsesi miqtë ishin më në kontroll të ndeshjes. Ata bënë thuajse të njëjtin numër gjuajtjes (12-9) dhe dyfishin në portë (2-4). Kristjan Asllani nuk pati këtë herë asnjë minutë, ndërsa mefushori shqiptar ishte gjatë gjithë kohës në stol.

Benfika (4-2-3-1): Vlahodimos, Zhilberto, Silva, Morato, Grimaldo, Çikinjo, Florentino (Neres), Mario, Silva, Aursens, Ramos.

Interi (3-5-2): Onana, Darmian, Açerbi, Bastoni (De Vraj 90’), Damfris (D’Ambrozio 87’), Barela, Brozoviç, Mkitarian, Dimarko, Lautaro Martinez (Korrea 62’), Xheko (Lukaku 63’).

Sfidanti.al