Ata që e ndoqën ndeshjen në stadium, apo edhe në televizor mund të kenë tundur kokën në fund sesi rezultati ishte 3-0. Mançester Siti vërtet shënoi tre gola dhe nuk pësoi asnjë, por për atë që u dha në fushë padyshim që Bajerni meritonte më shumë në këtë sfidë të Ligës së Kampionëve. Gjithsesi, nuk arriti ta merrte, dhe kjo për meritë të skuadrës së Pep Guardiolës që shënoi 3 gola, të portierit të saj, Ederson, që bëri disa pritje shpëtuese, dhe për faj të gjermanëve që vërtet e mbajtën më shumë topin (54 për qind), vërtet bënë më shumë pasime (567-437), por nuk i shfrytëzuan rastet.
Rodri në 27’, Bernardo Silva në 70’ dhe Erling Haland gjashtë minuta më pas ishin autorët e rrjetave, me Sitin e Guardiolës që tani është favorit për të kaluar në gjysmëfinale të Championsit. Anglezët patën më shumë gjuajtje, plot 17 ndaj 12 të Bajernit, dhe 9 në kuadrat nga 4, duke qenë më të saktë në fazën sulmuese.
Man. Siti (3-4-3): Ederson, Akanxhi, Dias, Ake, Bernardo Silva, Stouns, Rodri, Grilish, De Brujne (Alvarez 68’), Gyndogan, Haland.
Bajerni (4-2-3-1): Zomer, Pavar, Upamekano, De Ligt, Dejvis (Kanselo 81’), Gorecka, Kimih, Koman (Mane 69’), Musiala, Sane, Gnabri (Myler 80’).
Sfidanti.al