Ka krijuar ndoshta skuadrën më të bukur të botës. Pep Guardiola është i njohur si mjeshtër i lojës spektakolare dhe Mançester Siti është një kënaqësi për t’u parë, veçse kur vjen puna tek fitorja e Championsit, ky binom nuk ka sukses. Në 6 vjet në Angli, trajneri katalanas ka dështuar gjithmonë me sukses, madje edhe në finalen e 2021-it ndaj Çelsit. Si për ironi të fatit, Guardiola dhe Siti do të kenë sonte përballë në Ligën e Kampionëve Tomas Tuhelin, trajnerin që i mundi në atë finale. Skuadra angleze ndeshet me Bajernin dhe sfida e parë çerekfinale luhet në stadiumin “Etihad” në orën 21:00. Guardiola ka ekip të plotë, edhe pse mungesa e vetme ka qëlluar e rëndësishme. Fil Foden po e merr veten pasi i hoqën apandisitin.
“Ne do të përpiqemi, – thotë Pepim, – Është një nder që jemi këtu dhe që do të luajmë ndaj një rivali të madh si Bajerni i Mynihut. Vetëm këtë mund të them. Duhet ta meritosh fitoren, të luajmë mirë në të dyja ndeshjet. Së pari, të luajmë mirë ndeshjen e tanishme. Të gjithë kërkojnë nga ne që të fitojmë Championsin. Ne përpiqemi, por edhe rivalët janë të fortë. Nuk mund të fitosh gjithmonë. Majkëll Xhordani, atleti më i madh për mua, fitoi 6 tituj në NBA, por luajti 16 vjet”.
Bajerni, ndërkaq, shkoi në Angli me qetësinë dhe përvojën e një ekipi që e ka fituar 6 herë Champiosin. Kualifikimi bindës ndaj Paris SG të Mesit e Mbapesë ishte një tjetër konfirmim i forcës së gjermanëve. Bavarezët kanë qëlluar që në Mançester do të shkojnë pa asnjë qendërsulmues sepse Çupo Moting është i dëmtuar. Trajneri Tuhel ka dyshimin mes Sadio Manesë dhe Kingsli Komanit në formacion, ndërsa Gorecka kthehet në ekip pasi pushoi në Bundesligë. Tuheli ngacmohet se Siti ka tani Halandin.
“Nuk mendoj se Siti ka ndryshuar kaq shumë, – tha ai, – Shumica e lojtarëve janë po ata, dhe po ashtu stili i lojës. Është gjithmonë lojë e rrjedhshme sepse ata e bëjnë këtë gjë prej shumë vitesh. Padyshim që profili i Halandit është shumë i veçantë, është unik. Kjo i jep Sitit diçka që nuk e kishte vitet e kaluara. Nuk është e lehtë ta mbulosh Halandin, por ne duhet ta bëjmë si skuadër. Ndoshta nuk na quajnë favoritë, por kjo nuk është problem”. Siti-Bajern padyshim që është çifti më i fortë i Championsit, një finale e parakohëshme.
Sfidanti.al