Kombëtarja e Shqipërisë vijon përgatitjet për sfidën e parë në eliminatoret e Euro 2024, në program më 27 mars në transfertën e Polonisë. E enjtja ishte dita e “provave gjenerale” dhe kjo konfirmohet nga vendimi i Silvinjos për të zhvilluar seancat stërvitore me dyer të mbyllura, pra pa praninë e mediave. Skuadra kuqezi zbriti në fushën stërvitore në orën 10:30 dhe për afro 90 minuta sipas udhëzimeve të teknikut brazilian dhe stafit të tij. Që nga dita e mërkurë, kur ndau ekipin në dy grupe me një ndeshje të shkurtër kontrolli, Silvinjo po projekton edhe formacionin që do të zbresë në fushë nga minuta e parë në Varshavë.
Po ashtu, Silvinjo ka shtuar ritmin dhe ngarkesën në seancat stërvitore dhe në këtë mënyrë do të vijojë deri të shtunën. Trajneri kërkon të injektojë sa më shpejt idetë e tij për futbollin dhe po bën prova me formacionin, në mënyrë që të bëjë zgjedhjet e duhura për ndeshjen kundër Polonisë. Silvinjo pritet të ndryshojë shumë taktikisht dhe në modulin e lojës nga paraardhësi i tij Edi Reja.
Një venëmndje e vençantë i është dhënë goditjeve standarte, që në të shkuarën kanë qenë një pikë e dobët e skuadrës kuqezi, që është ndëshkuar shpesh nga harkimet në zonë. Edhe seanca e dytë e së enjtes do të jetë me dyer të mbyllura, ndërsa lajm i mirë është që të gjithë futbollistët e grumbulluar nga Silvinjo janë në dispozicion dhe nuk kanë problem fizike.
Sfidanti.al