Vazhdon të habisë edhe pse ky njeri nuk është aspak një surprizë. Erling Halandi vazhdoi me çmendurinë e tij, që do të thotë me shënimin e golave, duke shtuar edhe 3 të tjerë. Gjigandi norvegjez i shtoi një tjetër mbrëmje magjike asaj të Championsit, dhe ndihmoi Mançester Sitin që të kualifikohej për në gjysmëfinalet e Kupës së Anglisë. Përfundoi 6-0 në “Etihad” ndaj Bërnlit dhe Halandi bëri gjysmën e punës. Tashmë, ai ka 8 gola në dy sfidat e fundit, pikërisht ndaj Lajpcigut e Bërnlit, dhe këtë sezon ka arritur në 42.
Padyshim që ai mund të thyejë rekordet për Sitin, si dhe të kërcënojë rekordin e golave në Premier Ligë që mbahet nga Shirër dhe Koul me nga 34 rrjeta. Sidoqoftë, duket e pamundur që ai të kalojë 73 golat Mesi në një sezon. Trajneri Pep Guardiola, që siç thotë populli “vret me pambuk”, bëri ironi kur u pyet se përse e hoqi nga fusha sulmuesin e tij kryesor.
“Së pari unë dua të them që e zëvendësova Halandin sepse nuk doja që ai të thyejë rekordin e Mesit në Kupën e Anglisë. Ky ishte qëllimi im, sepse unë dua që të ndëshkoj lojtarët e mi. Ju e kuptoni vetë, 9 gola në dy ndeshje”. Norvegjezi ishte temër e rëndësishme e emisionit të Geri Linekerit, “Ndeshja e Ditës”, që u kthye në formatin normal pas kalimit të krizës në BBC. Lineker, Shirër dhe Rajt u shprehën se Halandi ia të gjitha mundësitë të bëjë gjithçka dhe se, nëse do të vazhdojë të luajë në Angli, mund të kalojë 260 golat që është rekordi i Premier Ligës, mbajtur pikërisht nga Alan Shirër.
Sfidanti.al