Kupa e Shqipërisë, Tirana e Teuta “harrojnë” të luajnë pjesën e dytë!

Dy emrat e parë i mësuam, dhe tani presim ndeshjet e fundit. Tirana dhe Teuta janë dy skuadrat e para gjysmëfinaliste të Kupës së Shqipërisë në futboll. Kjo, pas ndeshjeve të dyta të luajtura këtë të martë. Kampionët e vendit u mjaftuan me një barazim 2-2 ndaj Kastriotit në stadiumin “Selman Stërmasi”. Trajneri Orges Shehi bëri ndryshime në formacion, për të shlodhur disa titullarë, përderisa ndeshja e parë çerekfinale ishte fituar 4-1 në Kamzë, dhe kualifikimi praktikisht ishte arritur. Kryeqytetasit ishin në epërsi 2-0 në pjesën e parë me golat e Hasanit me penallti dhe Najdovskit, por në 20 minutat e fundit krutanët barazuan falë autogolit të Isenit dhe rrjetës së Ajazit me penallti.

Teuta ndërkaq iu fal fitores 2-0 në “Niko Dovana”, duke përballuar humbjen 1-2 në “Arenën e Kukësit”. Skuadra veriore pësoi gol shumë shpejt prej Grudës, dhe nuk i bëri punë reagimi pas pushimit. Golat e Rashit dhe Taipit ishin pa vlerë. Gjysmëfinalistët e tjerë të Kupës së Shqipërisë përcaktohen këtë të mërkurë pas ndeshjeve Laçi-Egnatia në orën 13:00 dhe Partizani-Vllaznia në 16:00. Në duelin e parë, ndeshja e vajtjes përfundoi pa gola, ndërsa në sfidën e dytë, shkodranët triumfuan 3-1 në “Loro Boriçi”.

Sfidanti.al