Murinjo do të jetë në stol në Roma-Juventus!

Është një nga përballjet më të ndjera në Itali. Kur Roma pret Juventusin në stadiumin “Olimpiko” emocionet janë të mëdha në tribuna dhe përpara televizorit, ndërsa kjo sfidë do ta ketë njërin nga protagonistët kryesorë. Zhoze Murinjo, trajneri i Romës, do të jetë në stol këtë të diel në orën 20:45, sepse përjashtimi i tij prej 2 ndeshjesh është pezulluar. Tekniku portugez mori karton të kuq në sfidën e kaluar që Roma e humbi në fushën e Kremonezes, pasi pati përplasje me arbitrin e katërt, të cilin e akuzoi për ofendim. Komisioni i Disiplinës e dënoi Murinjon me dy ndeshje që të mos ulet në stol, por Komisioni i Apelit kërkoi më shumë kohë për të shqyrtuar ankimin e bërë nga klubi kryeqytetas.

Deri në marrjen e vendimit, i vetëquajturi “I Veçanti” do të mundë të marrë pjesë normalisht nëpër ndeshjet e Serisë A. Sfida në “Olimpiko” pritet tepër e fortë sepse të dyja skuadrat kanë pretendimet e tyre. Humbja me Kremonezen bëri që Roma të rrezikoi shanset e saj për t’u kualifikuar në Champions sezonin e ardhshëm. Nga ana tjetër, Juventusi është dënuar me heqjen e 15 pikëve për shkak të skandalit të “plusvalencave”, por pas fitores së derbit ndaj Torinos, ekziston shansi për të qenë në Europë, pse jo edhe në Ligën e Kampionëve. Roma ka 44 pikë në vendin e 5-të në kampionat, ndërsa Juvja është e 7-ta me 35.

Sfidanti.al