Sa vjen Derbi, FSHF –ja prishet ..me paratë e biletave!

Sa herë që vinte ndeshja Derbi, Partizani-Tirana, pyetja më dominuese ishte : do ta fitoj Partizani ndeshjen apo Tirana? Këtë herë, në një futboll që halli hallit nuk ngjan, nuk kemi më merakun se cili ekip do ta fitoj Derbin, po ka lindur një pyetje më hallemadhe : ku do të luhet ndeshja, në Kompleksin Partizani apo në Air Albania? Partizani këmbëngul që derbi të luhet në shtëpinë e tij, kurse Tirana dhe FSHF janë bërë çift, pra janë bashkë, e duan lojën në “Air Albania”.

Po pse vihet në dyshim skena “më moderne në Ballkan”? Në pamje të pare, duket sikur është Partizani që po luan tekanjozin, sepse Derbi është e vetmja ndeshja e Superligës që i jep kuptim ekzistencës së stadiumit “Air Albania”. Ama, në pamje të dytë, po të futesh brënda lojës ekonomike të ndeshjes,pra shitjes se biletave, është FSHF që “gjobit” klubet, të vetmen ndeshje, që mbart frymë njeriu me shumicë.

Dhe i gjithë marifeti është se FSHF kërkon 50% fitimit të biletave nëse ndeshja luhet në Air Albania , ndërsa po të luhet tek kompleksi Partizani…fitimet janë të vetë klubit. Dhe ku mund të kalojë kokërr leku para hundës zileqare të federates sonë të panginjur..

Ku do të luhet Derbi? Kjo pyetje prek qiellin e shtatë të hipokrizisë , tingëllon shumë tallëse për njerëzit e futbollit, sepse në “shtëpinë e futbollit”, pra në Air Albania, janë bërë Kongrese dhe Kuvende të dy partive që luajnë derbin e politikës, u bë koncerti i këngëtarit Ermal Meta, dhe vulën ia vuri një ndeshje “jetike” e boksi!

Sfidanti.al