Sokol Cikalleshi si Kristiano Ronaldo, kavajasi çon ekipin drejt mbijetesës!

Duket sikur nuk është larguar aspak nga Turqia. Sokol Cikalleshi është përshtatur më së miri në Ligën Profesioniste të Arabisë Saudite ku shënoi dy herë në ndeshjen e fundit. Sulmuesi i kombëtares shqiptare i dha fitoren 2-0 ekipit të tij, Al Halexh, në sfidën ndaj Damacit. Të dyja rrjetat ai i shënoi në pjesën e parë, dhe tani ka 5 goditje në shenjë, po aq sa edhe legjenda portugeze Kristiano Ronaldo, ndërsa numëron edhe 1 asist. Sulmuesi kuqezi ka qenë vazhdimisht titullar, në gati 90 për qind të ndeshjeve e duke luajtur rreth 90 për qind të minutave. Jo vetëm kaq, por kavajasi ka marrë pjesë në krijimin e një të tretës së golave të ekipit.

Falë kontributit të kavajasit po lufton për mbijetesën duke qenë në vendin e 13-të të ligës me 16 ekipe, 6 pikë mbi zonën që të zbret në kategorinë e dytë. Kristiano Ronaldo ka gjithashtu 5 gola, ndërsa ka shërbyer 2 asistë. Natyrisht, legjenda portugeze ka luajtur në shumë më pak ndeshje, në vetëm 4, ndërsa jo më kot është sot për sot shënuesi më i mirë i historisë së futbollit botëror. Superylli, që besohet se fiton 200 milionë euro në sezon tek Al Nasri, nuk realizoi në ndeshjen e fundit, që ekipi i tij e fitoi 2-1 ndaj Al Tauounit, por ishte njeriu që shërbeu pasimin për të dyja rrjetat. Me Ronaldon si kapiten, Al Nasri është në vendin e parë , me pikë të barabarta me rivalët si Al Itihad apo Al Shabab.

Sfidanti.al