Le ta themi me zë të ulët, por ta themi: Bundesliga u rihap!

Bajerni nuk humbi, këtë gjë nuk ia lejoi vetes, por sidoqoftë barazimi në shtëpi nuk është aspak një rezultat i mirë. Këlni mori pikën në “Alianc Arenë”, ndërsa bavarezët humbën dy të tilla, duke qenë tashmë vetëm 4 pikë larg Lajpcigut të vendit të dytë. Nëse Frankfurti apo Unioni i Berlinit fitojnë sot, atëherë diferenca me ekipin e Nagelsmanit do të zbresë në dy pikë. Pavarësisht se asnjë skuadër në Gjermani nuk krahasohet me Bajernin, që ka shënuar shumë më tepër gola e ka pësuar shumë më pak, sërish pikët janë të tilla dhe kampionati mund të quhet i rihapur. Bajerni mbajti topin 76 për qind dhe gjuajti 13 herë (3), me 7 në kuadrat (3). Gjithsesi, kjo epërsi mbeti shterpë, pasi Këlni rezistoi fort duke treguar të paktën për një mbrëmje të vetme se dikur ka qenë një skuadër me emër të madh, duke u mposhtur vetëm në fund nga goli i shënuar nga Kimih.

Sfidanti.al