Cili tallet me Kombëtaren? Mbylljani gojën këtij Silvinjos..

Askush të mos tallet me Kombëtaren! Fjalët e trajnerit brazilian të Kombëtares, Silvinjo, kanë mbërritur me bujë tek godina me “gjethe” e futbollit, pra në zyrën e përgjimeve në FSHF dhe janë duke u deshifruar. Me cilin e ka trajneri apo ata, kumbarët, që e sollën .. Nuk kishte bërë ndonjëherë vaki sa një trajner i huaj, qysh në daljen e parë në mikrofon, të zbulonte tradhëtarin..pa emër! Më e bukura, kur trajnerët na i sillte presidenti Duka, ishin aq të lumtur sa nuk kishin gajle për marifetet tona, tani që trajnerët i sjell politika, ia dëgjon krismën.. qysh me të parën.

Të vish nga Brazili i larget dhe të zbulosh tradhëtarin në radhët tona, kjo është një “samba shkencore” që të lë pa gjumë. Pyetjet nuk reshtin, madje ndezin njëra- tjetrën. Me cilin futbollist e ka? Pse nuk ia thotë emrin, që të shpëtojmë nga gabimet e “përjetshme” në mbrotje? Po të ishte futbollist, Silvinjo, nuk do ta kursente, sepse është i vetmi trajner që vjen me “antiplumb”. Për fat, të vetmin që ai njeh, është më i madhi i vendit.

Po, atëhere,na thuaj, cili tallet me Kombëtaren? Çfarë nuk pret nga politika, do zoti nuk kanë kallzuar “gralin e shenjtë” se ai që tallet me Kombëtaren është lart dhe nuk është poshtë, edhe ai luan në fushën e tij, madje si një magjistar i thekur, që edhe kur humbim e dalim të fundit në grup , vetëm ai fiton…

Sfidanti.al