Mediat spanjolle: Uzuni vazhdon “idilin” në “Los Karmenes”, afron Granadën me elitën!

Sulmuesi shqiptar nuk bëri këtë herë ndonjë heroizëm të jashtëzakonshëm, por gjithsesi ishte njeriu që konkretizoi përpjekjen e skuadrës së tij duke shënuar golin e fitores. Granada triumfoi 1-0 ndaj Kartagjenës, dhe Myrto Uzuni realizoi me penallti, ndërsa në fushë pati një duel me shokun e tij të kombëtares (të mëparshëm), Armando Sadiku. Ylli 27-vjeçar kuqezi u tregua gjakftohtë në 69’ duke kthyer në gol një 11-metërsh, që u cilësua i diskutueshëm nga mediat spanjolle. Granada pati më shumë përpjekje dhe iu afrua më shumë golit në një ndeshje taktike të Ligës së Dytë të Spanjës. Titujt e gazetave ishin “përkëdhelës”.

“Uzuni afron Granadën me elitën”, shkruan “El Mundo Deportivo”. E përditshmja “AS” komenton se “Uzuni vazhdon idilin e tij në “Los Karmenes” (stadiumi i Granadës)”. “Uzuni, mbreti i Granadës”, komenton “Marka” madrilene, ndërsa sulmuesi kuqezi mbetet shënuesi më i mirë i Ligës së dytë me 12 gola në 22 ndeshje. Granada ka fituar 7 pikë në 5 ndeshjet e fundit ndaj Alaveshit, që thuajse e ka arritur, ndërsa ka rikuperuar 1 pikë ndaj Levantes. Skuadra e Uzunit është vetëm 2 pikë larg vendit të tretë. Dy skuadrat e para në renditje kalojnë direkt në La Ligë, ndërsa katër pozicionet e tjera luftojnë në plej of për një vend në elitë.

Sfidanti.al