Nuk mjaftuan “munxët” ndaj Katarit dhe FIFA-s, as akuzat për shkeljen e të drejtave të njeriut nga mediat e vendeve që deri dje shkelnin jo thjesht të drejtën e njeriut, por kombe e kontinente të tjera. Shtypi britanik sidomos është sërish i frymëzuar me një ndjenjë të çuditshme agresive dhe ka vënë në shënjestër transferimin e Kristiano Ronaldos tek Al Nasri në Arabinë Saudite. Kritikat dhe talljet janë të shumta për faktin se CR7 ka kaluar në një ligë të dorës së tretë, se ai do të humbasë, se ai ka shkuar atje vetëm për para, a thua se gjithë bota e sotme, e ashtuquajtur “moderne” rrotullohet rreth parasë, pavarësisht nëse kjo quhet dollar, euro, paund, juan kinez apo është monedhë e Lindjes së Mesme.
Përtej mëkateve të vetë Kristianos, mediat e vendit që ka shpikur futbollit mund të ishin rezervuar sado pak sepse po flasin për njërën nga legjendat më të mëdha të këtij sporti, për njeriun që ka fituar 5 Champions e 5 Topa të Artë si dhe ka shënuar mbi 800 gola në nivelin më të lartë të profesionizmit. Këto kritika që godasin më shumë Arabinë Saudite, që nuk pranojnë dot që një vend “i botës së tretë” të ketë një lojtar të klasit të parë, që mbyllin hundët kur ndjejnë se ka qytetërime të tjerë përveç atij ku jetojnë vetë, arrijnë deri në kufijtë e racizmit. Jo më kot, u sulmua Mesi që pranoi tunikën arabe nga Emiri i Katarit!
Sfidanti.al