Përralla vazhdon dhe mrekullia nuk pushon ende së ndodhur. Leiçesteri mbërriti deri në çerekfinalen e Ligës së Kampionëve. Skuadra që fitoi vjet Premier Ligën angleze dhe që largoi trajnerin pak ditë më parë, ndoshta mund t’i ngjajë dy ekipeve anglezë që bënë “prokopi” në të shkuarën po nëpërmjet këtyre veprimeve. AstonVila në 1982 fitoi Kupën e Kampionëve pasi shkarkoi trajnerin në sezon e sipër, dhe Çelsi triumfoi në Champions më 2012 (të dyja ndaj Bajernit) kur Andre Vijas Boas u shkarkua dhe Roberto Di Mateo ia zuri vendin.
Leiçesteri eleminoi Seviljen pasi e mundi 2-0 në Angli, me rezultat të përgjithshëm 3-2. Ues Morgan (27’) dhe Mark Albrajton (54’) shënuan golat, por shpëtimtar i vërtetë u bë portieri Kasper Shmajkel që priti penallti në fund. Kampionia angleze e drejtuar nga trajneri kujdestar Krejt Shekspir, e meritoi fitoren, ndërsa humbja ishte një minus i madh këtë sezon për ekipin e drejtuar nga trajneri argjentinas, Horge Sampaoli, që luajti me 10 vetë që nga minuta e 74-ët pasi Samir Nasri mori karton të kuq.
I kualifikuari tjetër ishte Juventusi. Kampionia e Italisë fitoi përsëri ndaj Portos, këtë herë 1-0, me gol të shënuar me penallti nga Paulo Dibala, në minutën e 42-të. Dy minuta më herët, Porto kishte mbetur me 10 lojtarë pasi Maksimiliano Pereira ishte përjashtuar nga loja me karton të kuq. Juventinët kishin fituar 2-0 edhe ndeshjen e parë në Portugali.
Sfidanti.al