Tramexani si Mat Basbi, skuadrën në fabrikë në 6 të mëngjesit!

Shumë kohë më parë, në vitet e largëta 50-të, Mançester Junajtid kishte një trajner që quhej Mat Basbi. Skocezi drejtonte stërvitjen në kompleksin e klubit, që nuk ishte një “shtet” më vete, por ku tifozët mund të vinin lirshëm për të ndjekur skuadrën e tyre. Që nga fusha dalloheshin oxhaqet e fabrikave që nxirrnin tym, dhe ndërsa punëtorët vinin për të ndjekur seancën, të lodhur nga puna, Basbi i thoshte futbollistëve: Shikojini, ata lodhen gjithë javën në atë punë të vështirë dhe duan që të shtunën ju t’i kënaqni, ju duhet të luani për ata”.

Ashtu ishte koha atëherë, dhe duket se edhe në futbollin e sotëm ka njerëz që mendojnë po kështu. Nuk na e merrte mendja që një nga “konservatorët” të ishte Paolo Tramexani, deri pak javë më parë ndihmëstrajner i kombëtares shqiptare dhe drejtor teknik në FSHF. Ish-krahu i djathtë i De Biazit i ka ngritur nga gjumi lojtarët që në pesë të mëngjesit, dhe në orën 6 i ka dërguar në një fabrikë në Lugano, pra në qytetin të cilit i përket ekipi. Bashkë me të tjerët edhe Armando Sadiku, sulmuesi i kombëtares që ka shënuar 5 gola në 5 ndeshjet e fundit në Superligën e Zvicrës. Veprimi i Tramexanit erdhi si pasojë e humbjes 2-5 në fushën e Tunit, dhe italiani tha: “Shikoni sesi punojnë dhe djersiten për paratë njerëzit e thjeshtë”.

Sfidanti.al