Zhoze Murinjo nuk është adoleshent, as një njeri pa përvojë. Përkundrazi, karriera si trajner po mbush 17 vjet dhe sukseset kanë qenë të shumta, ashtu si edhe problemet. Gjithsesi, kur vijnë momentet e nxehta, portugezi 54-vjeçar harron se çfarë përfaqëson dhe i lëshohet emocioneve dhe gjesteve, që mund të jenë batuta dhe interesante, por që gjithsesi nuk është se i japin shumë pikë.
Siç ndodhi në “Stemford Brixh” me një pjesë të tifozëve të Çelsit, ish-ekipit të tij të shtrenjtë. Kur ata e cilësuan “judë”, pra tradhëtar, për shkak se ai ndërroi ngjyrën e fanelës, “Mou” nuk ngurroi t’u përgjigjej duke u treguar 3 gishta të dorës së djathtë, që simbolizonin 3 titujt e fituar nga ai me blutë. Çelsi ka fituar gjithsej 5 kampionate në Angli, pra shumicën i ka me të, veçse a ishte e drejtë ajo që bëri? Gjithkush e di se lojtarët dhe trajnerët nuk duhet të merren me tifozët, por Murinjo e kishte harruar këtë aksiomë të futbollit.
Trajneri i Mançester Junajtidit e vërteton thuajse plotësisht përkufizimin e Frojdit se “njeriu është egoizëm i plotë, i veshur me një cipë e hollë logjike”. Natyrisht, nuk duam të jemi kaq fatalistë, veçse Murinjo na e kujton psikanalistin më të famshëm në histori. A mundet ai të përplaset me ata të cilët deri dje i quante tifozët më të mirë në botë? Të sulmojë Çelsin që e quante klubin më të mirë në botë, dhe të vetmin ku e donin me të vërtetë? Ançeloti nuk e ka bërë kurrë, as Klop, Hajnkes apo Ferguson, por Murinjo është Murinjo, dhe ai kënaqet kur lëshon batutën: “Unë Judë? Dakord, por për momentin Juda është numri 1”.
Tifozët e Mançester Junajtidit duhet ta dinë mirë se Murinjo do të jetë i tillë edhe ndaj tyre, kur të mos jetë më trajner në “Old Traford”.
Sfidanti.al