Luiza Gega do të jetë “në punë” për Vit të Ri, në 31 dhjetor garon në Bolzano të Italisë!

Një intermexo fare e vogël. Luiza Gega provoi këtë të enjte asfaltin e Bulevardit të Ri në kryeqytet, ndërsa mbërriti në Shqipëri për fare pak orë, pas fazës përgatitore në Kenia. Kampionia e Europës në atletikë nuk po vrapon këtu sepse nuk mund të ushtrohet diku tjetër, por sepse në 31 dhjetor do të ketë një garë në kushte të tilla në Itali. Ajo do të jetë në Bolzano ditën e Vitit të Ri, dhe vrapimi në rrugë do të shënojë edhe fundin e 2022-it pikërisht në aktivitet.

“Është një garë për të cilën kam ftesë dhe që më intereson nga ana financiare, pasi jepet shpërblim për pjesëmarrjen, – thotë kampionia 33-vjeçare, – në 27 janar nisim sezonin dimëror, ndërsa Vitin e Ri do ta kaloj në Itali, sepse aty kam garën”. Kampionia e Europës në 3 000 metra me pengesa ka objektivat e saj për këtë stinë. “Në dimër nuk ka garë të 3 000 metrave me pengesa, por kemi programin tonë, do të shohim nëse do të marrim pjesë në kampionatin botëror në sallë, ende nuk e kemi vendosur”, – sqaroi ajo. Në janar dhe shkurt, Gega dhe trajneri i saj Taulant Stërmasi, do ta vazhdojnë fazën përgatitore në Portugali.

Sfidanti.al