Dikur thuhej, “çfarë është e mirë për Familjen Anjeli, është e mirë për Italinë”. i tillë pushteti i milionerëve të hershëm, themelues të FIAT-it, dhe i tillë dominimi i Juventusit në futbollin e fqinjëve tanë të Perëndimit. Gjithsesi, pas një historie më shumë se 120-vjeçare, dhe pas triumfeve të jashtëzakonshme në Apenine, “Zonja e Vjetër” po duket shumë më e plakur se më parë. Nuk ka sesi komentohet ndryshe skandali më i fundit në klubin piemontez, që kulmoi me dorëheqjen e presidentit Andrea Anjeli, zv. presidentit Pavel Nedved dhe në total 10 anëtarëve të Bordit Drejtues.
Çfarë ndodhi për këtë që mund të quhet “tërmet”? Juventusi ishte nën hetim që prej 16 shtatorit për ato që cilësohen “plusvalencat”, apo mashtrime në bilanc lidhur me kontratat e futbollistëve, ku spikat emri i Kristiano Ronaldos. Prokuroria e Torinos përfundoi hetimet dhe i dërgoi drejtuesit bardhezinj në gjyq, proces nga i cili nuk pritej asgjë e mirë. Kjo solli efektin zinxhir, ende pa u vënë në lëvizje karabinieria e gjykata. Një goditje e rëndë për imazhin e klubit më të madh të Italisë, dhe të familjes Anjeli që i ka dhënë “zebrave” 4 presidentë, Edoardo Anjelin, Xhani Anjelin të mbiquajtur avokati, Umberto Anjelin që quhej “doktori” si dhe Andrea Anjelin.
Nuk ka sesi të mos kujtohet viti 2006 dhe skandali i jashtëzakonshëm i mbiquajtur “kalçopoli”, kur Juventusi u gjet fajtor për trukime ndeshjesh dhe ndikim në caktimin e arbitrave jo vetëm në ndeshjet e veta, por edhe të skuadrave të tjera. Në atë kohë, skuadra u turpërua duke u zbritur në Serinë B, ku luajti ndaj ekipeve si Rimini, Viçenca, Krotone apo Albinolefe, për herë të parë e të fundit në histori duke pasur në përbërje 3 kampionë të botës, Del Pieron, Bufonin e Kamoranezin, si dhe Kielinin, Nedvedin e Trezegenë. Nuk besohet se kjo Juve do të zbresë në ato nivele, por gjithsesi eliminimi që në grupet e Championsit ishte një turp që tregon jo pak.
Sfidanti.al