E nisën me këmbën e mbarë. Një tjetër ekip europian e fitoi ndeshjen e parë në Katar, dhe mes triumfuesve ishin edhe dy futbollistë me origjinë shqiptare. Kapiteni Granit Xhaka dhe sulmuesi Xherdan Shaqiri ishin protagonistë në suksesin e rëndësishëm 1-0 ndaj Kamerunit, diçka që ishte e domosdoshme në një grup tepër të fortë ku janë edhe Brazili me Serbinë. Përballja ishte e ashpër, por gjithsesi zviceranët e merituan fitoren edhe pse ishte minimale. Tepër aktiv Shaqiri, ndërsa ish-ylli i Bajernit, Interit e Liverpulit, ishte vendimtar duke krijuar golin e vetëm.
Sulmuesi 31-vjeçar i krahut shërbeu asistin për sulmuesin Brel Embolo që në fillim të pjesës së dytë. Helvetët krijuan edhe mundësi të tjera, por u ndaluan nga portieri i Interit, Onana. Për europianët, në Botëror është edhe një lojtar tjetër me origjinë shqiptare, Ardon Jashari nga Maqedonia e Veriut, por që këtë herë e kaloi ndeshjen në stol. Në një grup të hekurt, Zvicra e Xhakës dhe Shaqirit ndeshet në 28 nëntor me Brazilin, ndërsa në 2 dhjetor është përballja e spikatur ndaj Serbisë.
Sfidanti.al