Sulmon Sarri: Ndihmat për Juven? Ndoshta jemi të gjithë të çmendur!

Mauricio Sarri është nga ata që nuk kursen as presidentin e tij, jo më të druhet ndaj të tjerëve. Trajneri i Napolit hyri edhe ai në debatin e fundit për vendimet e gjyqtarit në stadiumin e Juventusit, në takimin ndaj Milanit. Nuk kishte si të mungonte pasi është një nga të interesuarit si drejtuesi i skuadrës që mban vendin e tretë në Serinë A.

“Interi, Napoli dhe Milani ankohen për vendimet që janë marrë në stadiumin “Juventus”, – e nisi ai, – Nuk di të them nëse të tria këto skuadra janë çmendur apo kanë ndodhur episode të dyshimta. Unë nuk dua të sillem si presidenti i gjyqtarëve, që thotë se ne kemi arbitrat më të mirë në botë. Le t’i besojmë”.

Sarri natyrisht që do të fliste edhe për ekipin e tij, në prag të ndeshjes ndaj Krotones. “Përvoja ndaj Realit do të jetë e rëndësishme për rritjen e këtij Napoli, – tha ai për mediat, – por, shpresoj që humbja të ketë shkaktuar zemërimin e duhur, sepse duhet të jemi të zemëruar pas çdo humbjeje, nëse duam të bëhemi skuadër e madhe”.

Sfidanti.al