Bonuçi: Shqipëria më e fortë se në 2017, finalja e Botërorit, Argjentinë-Brazil!

Kapiteni i Italisë pati shumë për të thënë në sallën e konferencave në “Arenën Air Albania”, edhe pse do të kishte dashur që ekipi i tij të ishte në rrugë për në Katar. Kjo nuk qe e mundur dhe Italia pësoi turpërimin e dytë radhazi pas atij në Rusi 2018, dhe Leonardo Bonuçi do të duhet të kënaqet me një miqësore modeste ndaj Shqipërisë në prani në 22 000 spektatorëve në Tiranë. “Shqipëria sot është më e fortë sesa në 2017, – tha ai duke kujtuar ndeshjen për eliminatoret e Kupës së Botës, – ka më shumë talent, më shumë cilësi dhe më shumë përvojë sesa atëherë, pra duhet më shumë kujdes”. Atëherë u luajt në Shkodër dhe Italia fitoi 1-0. Bonuçi u pyet edhe për Kupën e Botës në Katar duke bërë një parashikim. “Besoj se në finale do të dalin Argjentina dhe Brazili, – tha kapiteni juventin, – tek Juventusi kam shumë shokë argjentinas e brazilianë që janë lojtarë shumë të fortë. U thashë se i pres të dalin në finale”.

Sfidanti.al