Ivan Balliu është protagonisti i momentit në Spanjë; si e ndali Vinisiusin?

Pritej të ishte një ndeshje rutinë dhe të përfundonte si përherë. Nuk ndodhi kështu në La Ligën e Spanjës, ku Reali pësoi një humbje të papritur në fushën e Rajo Vajekanos, duke humbur kryesimin. Në një përballje me shumë emocione dhe me përmbysje që përfundoi 3-2, spikati edhe mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Ivan Balliu. Ai ishte titullar e luajti 90 minuta, ndërsa krijoi polemika me një ndërhyrje ndaj yllit madrilen, Vinisius. Balliu e goditi brazilianin, por jo fort dhe kjo bëri që të mos përjashtohej me karton të kuq. Në një intervistë për Radio Markën më pas, mbrojtësi kuqezi deklaroi se e pati të vështirë ndaj brazilianit, se duhej të tregohej dinak, por edhe që kundërshtari e ekzagjeroi.

Jehona mediatike e fitores së Vajekanos ishte e madhe. E përditshmja “Marka” thekson se gjigandi ishte Rajo, me Realin që humbi ndeshjen dhe kryesimin e kampionatit! Ja edhe gazeta tjetër e kryeqytetit, “AS”: Madridi humb toruan! Një Rajo e stuhishme dhe dinjitoze i dha leksion Realit më të keq të vitit! Në Katalonjë ka festë, dhe e përditshmja “Sport” shkruan për katastrofë të Realit, dhe me Barcelonën që doli në krye! Trajneri madrilen, Karlo Ançeloti, pranoi se kundërshtari e meritoi fitoren, ndërsa tha se lojtarët e tij ishin të lodhur. Barcelona kryeson La Ligën me 34 pikë ndaj 32 të Realit.

Sfidanti.al