Mallkuar qoftë barazimi! Tirana dhe Skënderbeu 4 gola pa fitues!

Tirana ka fituar vetëm 1 pikë ndaj Skënderbeut, por në planin moral ka fituar edhe më shumë, madje mund të thuhet se karakteri i tyre në fushë ishte si një ftesë për rikthimin e tifozëve në “Selman Stërmasi”.  Skënderbeu është ndezur me vonesë në këtë ndeshje, ka vërtetuar edhe njëherë se në ndeshjet delikate ka humbur pushtetin, madje këtë herë ka rizbuluar vesin për të prishur letargjinë  vetëm pas pësimit të golit.  Thonë se Josa u kishte thënë futbollistëve se Skënderbeu mund ta kapësh gafil në minutat e para ngaqë shfaqet me përgjumje , në qoftë e vërtetë kjo, goli i futbollistit Ede në minutën e tretë nuk duhet konsideruar si një rastësi, ngaqë edhe në vazhdimin e pjesës së parë bardheblutë i kanë dhënë më shumë shpirt një loje të hapur, edhe pse me disa mungesa.

Tirana dhe Skënderbeu kanë ndarë nga 1 pikë, por trajnerët e tyre Josa dhe Daja nuk e ndane në dy pjesë të barabartë tortën e lojës kur dhanë intervistat në fund. Ndërsa Daja kishte përshtypjen se Skënderbeu i tij ishte vjedhur në rezultat ngaqë meritonte më shumë, Josa me stilin e tij lakonik me pak fjalë tha se Tirana e tij, me pak kujdes, mund ta kishte befasuar edhe më shumë ekipin kampion. Cilado qoftë e vërteta, barazimi me nga 2 gola për secilin, ku ai i Hoxhallarit spikat për ekzekutimin me art të goditjes së dënimit, kishte vlerë përtej logjikës së pikëve. Skënderbeu mund të presë me dorë në zemër reagimin e Kukësit dhe Partizanit, dy rivalëve të tij, kur të luajnë nesër, kurse Tirana ka nisur një mision disi atipik për bardheblutë…të rifitojë besimin e tifzoëve.

Sfidanti.al