Lamtumira perfekte e Pikesë, ylli katalanas largohet me Barcelonën në krye!

Ishte ndeshja e tij e 616-të me këtë fanelë, dhe kryesorja, ishte e fundit. Për Gerard Pikenë nuk do të ketë tjetër pas mbrëmjes së kësaj të shtune në orën 23:00. Rreth 90 000 tifozë kishin mbushur stadiumin “Kamp Nou” për lamtumirën e një legjende, të njërit prej personaliteteve më të mëdhenj të historisë së skuadrës “blaugrana” dhe të klubit, ashtu si Mesi, Ksavi, Iniesta, Pujol apo dikur Zubizarreta e të tjerë. Qendërmbrojtësi largohet disi shpejt, në moshën 35-vjeçarë, i shpërqëndruar nga interesa të tjera në jetë, por me fitoren e 30 trofeve, i treti pas Mesit dhe Iniestës në historinë e Barçës.

Ai ishte pjesë e brezave të artë të klubit, që nga Akademia “La Masia”, tek skuadra e parë. Ndoshta nuk do të mbahet mend për rekordet në fushë si Mesi, Ksavi apo Iniesta, por personaliteti i tij i bën të gjithë ta mendojnë si një president i ardhshëm i klubit. Edhe largimi i tij, përkundër polemikave të këtij viti, ndodhi në mënyrën më të përsosur. Barcelona fitoi 2-0 në “Kamp Nou” (nuk po ia shkruajmë këtë herë shtesën “Spotifaj”) ndaj Almerias, me golat e Usman Dembelesë dhe të Frenki De Jongut, ndërsa Robert Levandovski humbi penallti. Më e rëndësishmja, Pike largohet me Barcelonën në vendin e parë të La Ligës, të paktën deri në ndeshjen e Realit.

Sfidanti.al