Sebastian Fetel ishte një shigjetë e vërtetë në pistën Barcelona-Katalunja në provat e fundit të zhvilluara atje nga skuadrat e Formula 1. Piloti gjerman i Ferrarit u duk në versionin e tij të Red Bullit, kur fitonte dhe dominonte, ndërsa koha e tij që ishte më e shpejta nga të gjithë, ishte gjithashtu një rekord i pistës që kur aty u bënë ndryshime 10 vjet më parë. Fetel ndaloi kronometrin në 1’19”024, ndërsa përpara këtyre provave, rekordin e kishte pasur Mark Ueber me Red Bullin në 2010 (1’19”995).
Pas gjermanit, erdhi pretendenti i madh për titullin botëror, Ljuis Hamilton i Mercedesit, që mbeti vetëm 326 të mijtat prapa. Anglezi ka pohuar se Ferrari është favorit në nisje të sezonit të ri të kampionatit botëror, nisje që bëhet në 26 mars. A do të arrijë më në fund Ferrari ta thyejë dominimin e skuadrës gjermane, tri herë radhazi kampione e botës? Tifozët italianë shpresojnë shumë, aq më tepër në 70-vjetorin e themelimit të “kokëkuqes”, veçse Mercedesit do të jetë i fortë, dhe po ashtu Red Bulli pretendon të rikthehet i madh.
Sfidanti.al