Legjenda, kur peshon më shumë nga e vërteta, thotë se basketbolli amerikan lë me gojë hapur mbarë botën, kurse legjenda e gënjeshtërt, tregon se është Shqipëria e vogël që ka lënë me gojë hapur edhe vetë amerikanët. Çfarë ka ndodhur? Përtej oqeanit, ka mbërritur, disi me vonesë, lajmi më sensacional për gjithë jetën e koshit, se në Shqipëri, pikërisht në basketbollin për femra, një basketbolliste ka shënuar 111 pikë në një ndeshje!? Një shifër e pamëshirshme, nga ato për të cilat mund të thuhet “mbani frymën miq amerikanë”, sepse kurora e mbretit Majkëll Xhordan apo Lebron Xhejm ka rënë në mënyrën më dramatike. Thonë, nuk dihet sa e vërtetë është, se amerikanët, pasi u ka dalë mpirja nga rekordi me tre njësha i shqiptarëve, kanë pyetur dy herë : sa i madh është koshi në Shqipëri? Sa ditë vazhdon një ndeshje? Le të dërgojnë spiunë po të duan, për të matur kohën e ndeshjes dhe perimetrin e koshit, shqiptarët kanë festuar në mënyrën më origjinale përrallën e fundit. Edhe pse të gjithë kemi marrë pjesë në funeralin e basketbollit, i cili nuk ka as shtëpi e as katandi, prapëseprapë, shifra 111 u shfaq si kodi i lumturisë: basketbolli futet në legjendë! Kishte nga ata që e quajtën “rekordi i turpit”, por zërat u shuan shpejt, ngaqë ky vënd ka nevojë më shumë për legjenda të sajuara, sesa të vërteta që i jetojmë.
Legjenda e fundit që prekëm, ishte ajo e atletit Izmir Smajlaj , për të cilin u krenuam se “befasoi Beogradin me shifrën fituese 8, 08 m në kërcim së gjati”, ndërsa nuk na e mbajti të thonim hapur se më shumë se Beogradi u befasua vetë Tirana. Nga na doli ky atlet me emrin Izmir? Nga na mbiu në një sport të cilit kishim vite që i thonim “ hip këtu e shiko Stambollin”. Tani kemi hipur të gjithë në podium dhe po shikojmë jo Stambollin, por medaljen e artë. Medaljen e një atleti, që e futëm më shumë në legjendë ngaqë bëri shqiponjën, sesa.. fluturoi 8 metra. Dhe 8 metra të matura me juri europiane, jo si 111 pikët e basketbollit, ku të gjithë mbyllnin sytë dhe vetë “juria” është futur në legjendë, kur frymezonte më shumë hipokrizinë e garës duke thirrur “ Edhe një, edhe një..”
Sfidanti.al