Adrion Pajaziti pritet të jetë ylli i ri i kombëtares, shpresohet të mos “vuajë” si Broja!

Është ende tepër i ri, por cilësohet nga ata që bëjnë diferencën. Adrion Pajaziti pritet të jetë një nga yjet e ardhshëm të kombëtares, madje trajneri Edi Reja e deshi që në miqësoren e sotme ndaj Arabisë Saudite. Burime në Federatën Shqiptare të Futbollit tregojnë për Abc-në, se tekniku italian provoi ta grumbullonte këtë herë në ekip, por nuk u lejua nga klubi i Fulhamit ku luan për ekipin Shpresa. Pajaziti, një mesfushor 19-vjeçar, vendosi të vishte fanelën kuqezi pasi braktisi Kosovën dhe u aktivizua në miqësoret e U21-it ndaj Maqedonisë e Kroacisë, duke mbajtur fanelën me numrin 8.

Ai vlerësohet lart nga trajneri i Shpresave, Alban Bushi, si dhe nga vetë Reja, si një nga lojtarët më të talentuar që mund t’i shtojë shumë cilësi kombëtares. i lindur në Londër nga prindër nga Kosova, Pajaziti është kthyer në një protagonist të Fulhamit U21 duke shënuar e duke shërbyer asiste muajt e fundit, por sidomos duke u dalluar me lojën e tij. Ai ishte kapiten i ekipit të 18-vjeçarëve të klubit, dhe firmosi kontratë profesioniste në 2020, të cilën e rinovoi në gusht të këtij viti, me afat 3-vjeçar, si dhe me të drejtë rinovimi me një sezon tjetër. Pritet që Pajaziti të jetë lojtar i rëndësishëm në Premier Ligë në të ardhmen, përveçse të dallohet për kombëtaren.

Sfidanti.al