Në ish-Bashkimin Sovjetik ka qenë një film me titull “Në luftë shkojnë vetëm pleqtë”. Tani, pas triumfit të jashtëzakonshëm të Bajernit në fushën e Arsenalit, me shifrat e pabesueshme 5-1, ndoshta duhet bërë një film edhe për futbollin, me titull “Championsin e fitojnë vetëm pleqtë”. Formacioni bazë i hedhur në fushë nga Karlo Ançeloti kishte moshë mesatare prej 30 vjeçësh e 14 ditësh. Mediat gjermane gjurmuan statistikat dhe nxorrën se ky ishte Bajerni më i vjetër në historinë e Ligës së Kampionëve.
Pleqëria nuk e pengoi skuadrën bavareze të “gjyshëve” që të shkatërronte një skuadër gjithsesi shumë të mirë, deri pak javë pretendente për titull në Premier Ligën angleze. Nëse “rrethi” do të ngushtohej tek treshja Roben-Riberi-Vidal, atëherë mosha mesatare do të shkonte në 31.6 vjeç. Bëhet fjalë për lojtarët kryesorë, së bashku me Robert Levandovskin.
Ançeloti shkaktoi të qeshura në konferencën për shtyp përpara ndeshjes kur u pyet për formacionin dhe tha se “Rafinja do të luajë përpara Kimihut sepse është më i vjetër”. Mediat gjermane shkruajnë me shaka se ky Bajern nuk do të pranohej në Champions nëse formati do të ishte U30. Vlera e veteranëve duket më mirë kur nënvizohet se Roben-Riberi-Vidal kanë luajtur një numër total prej 272 ndeshjesh në Ligën e Kampionëve, pra e njohin kompeticionin me sy mbyllur.
Sfidanti.al